Prishtinë, 25-30 Shtator
FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet që nga viti 2013. I themeluar nga artistja dhe aktivistja Zana Hoxha, FemArt është ndër festivalet feministe më të mëdha në Ballkan, qëllimi i të cilit është për të promovuar artin, aktivizmin, feminizmin, paqen, lirinë, diversitetin, solidaritetin, empatinë dhe fuqizimin.
Nisur nga vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë dhe grupet e margjinalizuara në Kosovë dhe rajon në baza të përditshme, ngritja nga këto vështirësi duke u përballur dhe duke i përmbysur normat sociale që i mbajnë ndër breza, Artpolis, që nga viti 2013, e organizon festivalin që synim e ka luftimin e këtyre vështirësive. Kjo nismë e bukur e artit u bë skenë për t’u dëgjuar zërat e artisteve dhe aktivisteve dhe qysh në edicionin e parë mori formën e një festivali prestigjioz.
Motot e festivalit ndër vite, si “Ne nuk jemi ishull’, “E patrembur”, “Ti udhëheq”, “Me Liri Kundër Marrës”, “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, “F… Seksizmit”, “Nga Revolucioni në Evolucion”, “Kalle Tutën” etj. ishin inspirim dhe orientim i artisteve dhe aktivisteve për të shfaqur krijimet e tyre dhe për të ngritur apo luftuar çështjet që ishin aktuale për atë vit të edicionit.
Çdo vit festivali bashkon mbi 200 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga mbarë bota duke paraqitur krijime e tyre origjinale. Përveç artisteve dhe aktivisteve festivali angazhon vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave.
Edicioni i 12-të i FemArt sivjet do të organizohet më 25-30 Shtator, 2024 në Prishtinë, nën moton “MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe”.
Linku për regjistrim për pjesmarrje: këtu.